Ka mjaftuar vetëm një rrebesh i shkurtër shiu që situata të degjenerojë sërish në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, konkretisht në afërsi të fshatit Dragostunjë. Rruga është bllokuar plotësisht, duke rikthyer makthin për qytetarët që udhëtojnë drejt juglindjes së vendit.
Si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe rënies së mbetjeve në rrugë, në të dyja anët e aksit është krijuar menjëherë një varg i gjatë automjetesh. Qindra makina dhe kamionë kanë mbetur të bllokuar në rrugë, duke prirur ndërhyrjen e mjeteve të rënda.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, në vendngjarje kanë mbërritur fadromat dhe ekskavatorët, të cilët po punojnë për pastrimin e rrugës nga masivi i dherave dhe gurëve që kanë zbritur nga mali.
Kjo zonë nuk është një vatër e re problematike. Ky aks rrugor pësoi një shembje masive në muajin shkurt të këtij viti, duke izoluar për 10 ditë me radhë të gjithë juglindjen e Shqipërisë dhe duke krijuar kaos në qarkullimin e qytetarëve dhe transportin e mallrave.
Bllokimi i parë dhe problemet e vazhdueshme erdhën si pasojë e punimeve që po kryhen në këtë zonë për llogari të Korridorit VIII, ku fillimisht u shemb ura në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”. Siç dëshmon edhe situata e ditës së sotme, mjaftojnë pak rreshje shiu që punimet e paforcuara siç duhet të sjellin sërish bllokim total, duke treguar se rreziku në këtë aks mbetet i përhershëm sa herë që moti përkeqësohet.