Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në Australinë Perëndimore, ku një polumbar ka humbur jetën pas një sulmi horror nga një peshkaqen i madh i bardhë, rreth 4 metra i gjatë.
Viktima, një burrë i moshës 38-vjeçare, po peshkonte me fuzhnjë së bashku me një mikun e tij në zonën e quajtur Horseshoe Reef, pranë qytetit Perth, kur u sulmua egërsisht nga predatari i detit.
Pamjet e filmuara nga ajri treguan momentet dramatike kur 38-vjeçari u nxor me urgjencë në breg, ndërsa mjekët e ambulancës filluan menjëherë masazhin kardiak (CPR) në përpjekje për t'i rikthyer shenjat jetësore.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipeve të emergjencës, plagët e marra ishin fatale. Një zëdhënës i policisë konfirmoi lajmin e hidhur:
"Fatkeqësisht, ishte e pamundur që burri të rikthehej në jetë."
Departamenti i Industrive Primare dhe Zhvillimit Rajonal konfirmoi se sulmi erdhi nga një peshkaqen i madh i bardhë (Great White Shark). Autoritetet u kanë bërë thirrje urgjente qytetarëve dhe pushuesve që të tregojnë "kujdes të shtuar" nëse futen në ujerat e asaj zone.
Sipas policisë, alarmi për sulmin e përgjakshëm pranë ishullit Rottnest u mor rreth orës 09:55 të mëngjesit të kësaj të shtune, më 16 Maj 2026. Ndërkohë, zonat plazhi përreth janë vendosur në monitorim të rreptë.