Shërbimi Federal i Inteligjencës Zvicerane ka bërë të ditur se do të hapë dosjet sekrete të lidhura me Josef Mengele, nazistin famëkeq të njohur si “Engjëlli i Vdekjes”, megjithëse ende nuk është përcaktuar një datë zyrtare për publikimin e tyre.
Mengele ishte mjek në kampin e përqendrimit Auschwitz gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe konsiderohet një nga figurat më të tmerrshme të regjimit nazist. Ai përzgjidhte të burgosurit që dërgoheshin drejt dhomave të gazit dhe kreu eksperimente çnjerëzore mbi të burgosur, veçanërisht mbi fëmijë dhe binjakë. Sipas historianëve, ai lidhet me vdekjen e qindra mijëra njerëzve, kryesisht hebrenj.
Pas përfundimit të luftës, Mengele arriti të arratisej nga Evropa dhe jetoi për vite me identitete të rreme në Amerikën e Jugut. Ai nuk u arrestua kurrë dhe vdiq në Brazil në vitin 1979, ndërsa identiteti i tij u konfirmua më vonë përmes analizave të ADN-së.
Historianët kanë kërkuar prej vitesh akses në dokumentet zvicerane, duke dyshuar se Mengele mund të ketë kaluar kohë në Zvicër gjatë viteve ’50 dhe ’60, edhe pse ndaj tij ekzistonte një urdhër-arrest ndërkombëtar që prej vitit 1959.
Sipas studiuesve, ka indicie se autoritetet zvicerane kishin vënë nën vëzhgim një apartament në Zyrih të lidhur me familjen e Mengeles, ndërsa raportime të tjera flasin për lëvizje të dyshimta në fillim të viteve ’60. Megjithatë, deri më sot nuk ekzistojnë prova përfundimtare që ai ka qëndruar realisht në territorin zviceran.
Refuzimi i vazhdueshëm për hapjen e dosjeve ka nxitur ndër vite akuza për mungesë transparence dhe teori të shumta konspirative. Vetëm pas një padie të ngritur nga historianë dhe studiues, autoritetet zvicerane ndryshuan qëndrim, duke deklaruar se dokumentet do të bëhen të aksesueshme “nën kushte që ende nuk janë përcaktuar”.
Disa ekspertë besojnë se dosjet mund të mos zbulojnë vetëm detaje mbi vetë Mengelen, por edhe informacione mbi aktivitetin e shërbimeve sekrete gjatë Luftës së Ftohtë dhe operacionet për ndjekjen e nazistëve të arratisur nga organizata si Mossad.
Debati mbetet ende i hapur mes nevojës për transparencë historike dhe shqetësimeve që lidhen me sigurinë kombëtare, ndërsa publikimi i plotë i dosjeve vazhdon të mbetet pa një datë konkrete.