SPAK çon për gjykim grupin kriminal “Bajri”, veprat dhe akuzat

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.05.2026, 12:20

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Aleksandër Prendin, Franko Lekën, Izmir Sakicajn dhe Samuel Troshanin, të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas SPAK, Aleksandër Prendi akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ndërkohë, Franko Leka, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani akuzohen për “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.

Sipas hetimeve, Izmir Sakicaj, Samuel Troshani dhe Franko Leka dyshohet se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në aktivitete të dhunshme, tentativa vrasjeje dhe përdorim armësh zjarri. SPAK thekson se disa prej tyre rezultojnë të përfshirë edhe më herët në ngjarje kriminale kundër jetës dhe sigurisë publike.

Ngjarja për të cilën po hetohen ka ndodhur më 23 gusht 2024 në fshatin Rranxë të Bushatit. Sipas dosjes hetimore, personat e përfshirë janë nisur me tre automjete të blinduara nga zona e Dobraçit drejt banesës së Aleksandër Prendit, me dyshimin se synonin eliminimin fizik të tij.

Hetimet tregojnë se personat kanë qenë të armatosur dhe kanë vepruar në mënyrë të organizuar. Situata është kthyer në një shkëmbim zjarri mes palëve, por fatmirësisht nuk pati persona të plagosur, ndërsa u regjistruan vetëm dëme materiale në automjetet e përdorura.

SPAK thotë se Aleksandër Prendi dyshohet se ka qëlluar në drejtim të të paktën dy personave me qëllim vrasjen e tyre, por ngjarja mbeti në tentativë.

Në vendngjarje u konstatuan të dëmtuara disa makina të blinduara, përfshirë një Audi A8 me targa gjermane “SWAG276”, një tjetër Audi A8 në pronësi të Franko Lekës dhe një Mercedes Benz S600 i blinduar, i cili më vonë u ndalua nga policia nën drejtimin e Safet Bajrit.

Po ashtu, u gjet i dëmtuar edhe një BMW e marrë me qira nga Aleksandër Prendi, i cili sipas ekspertimeve telefonike dhe provave hetimore rezulton i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit.

Megjithatë, një pjesë e personave të dyshuar si pjesëmarrës në ngjarje ende nuk janë identifikuar dhe hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të roleve të secilit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit