Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Itali, ku një i ri me origjinë shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor. Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 23:00.
Sipas mediave lokale italiane, viktima është një 19-vjeçar banues në Monopoli. Në momentin e përplasjes, ai ndodhej në sediljen e pasme të një automjeti tip "Mercedes-Benz".
Mjeti tip "Mercedes-Benz", ku udhëtonte i riu shqiptar, është përplasur fuqishëm me një automjet tjetër tip "Toyota", i cili drejtohej nga një grua. Përplasja ka qenë aq e fortë sa të dyja makinat kanë dalë jashtë kontrollit, duke goditur edhe disa mjete të tjera që ndodheshin të parkuara në rrugë, çka ka shkaktuar dëme të shumta materiale.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të bluzave të bardha dhe transportimit me urgjencë drejt spitalit, plagët e marra kanë qenë fatale për 19-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në ambientet spitalore.
Nga ky aksident kanë mbetur të plagosur lehtë edhe drejtuesja e mjetit "Toyota", si dhe një pasagjer tjetër që ndodhej në makinën "Mercedes-Benz".
Autoritetet italiane kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet e plota për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan në këtë përplasje tragjike.