Salillari tenton t’i shpëtojë burgut? Ia kalon fajin Starovës për aferat me tendera

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.05.2026, 10:28

Në fillim të janarit 2026, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, një skuadër e BKH ka ushtruar kontrolle dhe ka bastisur zyrat e biznesmenit Pëllumb Salillari, i njohur si një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në infrastrukturë dhe i përfshirë në dosjen hetimore që lidhet me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku. Operacioni është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, me dyshime për abuzim të fondeve publike në projekte rrugore, ku janë sekuestruar dokumente tenderash, kontrata publike, dosje financiare dhe materiale të shumta që lidhen me dhjetëra miliona euro fonde shtetërore.

Gjatë bastisjes që ka zgjatur disa orë, agjentët e BKH-së kanë sekuestruar të paktën 15 telefona dhe laptopë nga zyrat qendrore dhe ambientet e lidhura me kompaninë Salillari sh.p.k., pajisje që dyshohet se përmbajnë komunikime, prova elektronike dhe dokumentacion të rëndësishëm për hetimin. Hetuesit po analizojnë skema të dyshuara ku përfshihen oferta fituese të dhëna në nivelin e fondit limit, devijime projektesh gjatë zbatimit, situacione pune të fryra dhe dokumente justifikuese të dyshuara si fiktive. Në këtë zinxhir përmendet edhe supervizorja Entela Çano dhe kompania e saj A & E Engineering sh.p.k., të dyshuara për certifikim të punimeve të pakryera dhe bashkëpunim në projektet infrastrukturore ku dyshohet për abuzime.

Atë që bëri me vëllain, Salillari tenton të bëjë tashmë Bledar Starovën, të cilin kërkon t’a hedhë në gojën e SPAK për të shpëtuar veten e tij si koka e aferave me tendera, korrupsion, pastrim parash, ndërtime pa leje, krime mjedisore etj. Mbetet për t’u parë nëse Starova do pranojë të bëjë burg për Salillarin dhe nëse SPAK do fokusohet tek maska apo fytyra reale e korrupsionit dhe pastrimjt të parave.

Sipas të dhënave hetimore dhe referimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Pëllumb Salillari rezulton përfitues i mbi 170 milionë eurove fonde publike në 5 vitet e fundit përmes kontratave në rrugë kombëtare, ujësjellës, rikonstruksione dhe vepra të tjera infrastrukturore. Në disa raste janë konstatuar punime të pakryera, situacione false dhe ndryshime të projekteve gjatë zbatimit, me dyshime për ndarje përfitimesh me zyrtarë publikë dhe ndërhyrje në proceset e tenderimit. Hetimi përmend gjithashtu rolin e Bledar Starovës, administrator në struktura të lidhura me Salillarin, i cili dyshohet se po përdoret si figurë formale për të mbajtur përgjegjësi operative dhe për të larguar fokusin nga pronari real i aktivitetit.

Në dosje përshkruhet gjithashtu një rrjet më i gjerë biznesi dhe lidhjesh familjare, ku kompani të ndryshme të regjistruara në emra familjarësh dhe ish-punonjësish të Salillarit dyshohet se janë përdorur për investime dhe projekte të tjera, përfshirë park fotovoltaik në Fier përmes shoqërisë Albania Solar Power sh.p.k., të lidhur me Engjëll Agalliu, kunat i tij, si dhe kompaninë Bervi Construction sh.p.k. të Afërdita Salillarit, bashkëshortja e tij. Po ashtu përmendet edhe koncesioni i Portit të Vlorës me vlerë rreth 60 milionë euro, ku figura të punonjësve dhe personave të afërt dyshohet se janë vendosur si aksionerë formalë për të mbuluar pronësinë reale. SPAK po vijon verifikimet për të përcaktuar nëse kjo skemë përbën grup të strukturuar ekonomik me elementë të korrupsionit, pastrimit të parave dhe përfitimit të paligjshëm nga fondet publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit