Një kontroll i befasishëm i zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Burgun e Durrësit ka çuar në sekuestrimin e një telefoni celular të tipit “iPhone 17 Pro Max”, i cili dyshohet se përdorej nga Klevis Hoxhosmani.
Sipas burimeve, pajisja është zbuluar në godinën B të burgut, pas informacioneve të siguruara nga Byroja Kombëtare e Hetimit përmes sistemit “IMSI Catcher”, ndërsa i paraburgosuri rezultonte nën përgjim nga agjentët e BKH-së.
Pas sinjalizimit, është urdhëruar kontroll të menjëhershëm në qelinë ku qëndronte Hoxhosmani, ku më pas u gjet edhe telefoni celular.
Klevis Hoxhosmani është një emër i njohur në hetimet e SPAK dhe autoriteteve ndërkombëtare për trafik droge. Ai dyshohet si pjesë e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas hetimeve, Hoxhosmani dhe vëllai i tij Arturi dyshohen se kanë qenë pjesë e një strukture kriminale që operonte në disa shtete dhe kishte lidhje me grupe të njohura të krimit të organizuar. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka sekuestruar më herët rreth 250 kilogramë kokainë, që dyshohej se ishte pjesë e një sasie më të madhe droge të destinuar për tregun europian.
Hetuesit ndërkombëtarë dyshojnë se rrjeti përdorte ngarkesa legale si banane, kakao dhe materiale druri për të fshehur lëndën narkotike dhe për ta trafikuar drejt porteve të mëdha europiane si Antwerpi dhe Rotterdami, përpara shpërndarjes në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të BE-së.