Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili shpreh indinjatën për shërbimin në spitalin e Cërrikut, në Elbasan.
Sipas tij, ai është paraqitur në spital në orët e para të mëngjesit për të marrë ndihmë mjekësore, por pretendon se nuk ka gjetur askënd në gatishmëri për ta pritur apo për t’i ofruar shërbim.
“Isha në mëngjes te spitali i Cërrikut. Ishin në gjumë të gjithë, nuk më doli asnjë njeri. Çfarë shteti është ky?”, shkruan qytetari në mesazhin e tij për JOQ.
Ky denoncim ngre edhe një herë shqetësimin mbi mënyrën si funksionojnë shërbimet shëndetësore në disa spitale dhe qendra shëndetësore në vend, sidomos gjatë turneve të natës dhe orëve të para të mëngjesit.
Qytetarët shpesh ankohen për mungesë personeli, neglizhencë dhe vonesa në marrjen e shërbimit, ndërsa kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe reagim nga institucionet përkatëse.
Rasti në fjalë pritet të verifikohet nga autoritetet përgjegjëse, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim nga drejtuesit e spitalit lidhur me pretendimet e ngritura nga qytetari.