Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i SPAK kundër një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të heroinës nga Suedia drejt Mbretërisë së Danimarkës. Në pranga ka rënë 35-vjeçari Marsel Licaj, ndërsa ndaj vëllait të tij, Ermal Licaj, janë vendosur masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Sipas SPAK, dy vëllezërit fierakë dyshohet se kanë qenë pjesë aktive e një rrjeti kriminal që ka trafikuar heroinë në të paktën 7 episode gjatë periudhës 1 tetor 2023 – 23 janar 2024.
Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal, i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, e fuste heroinën në Danimarkë përmes territorit suedez, ndërsa më pas lënda narkotike përzihej me substanca si paracetamol dhe kafeinë për të rritur sasinë dhe fitimet nga shitja në tregun danez. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes SPAK, BKH dhe autoriteteve daneze, të cilat kishin nisur që në gusht të vitit 2023 hetimin e koduar “Operacioni Bacchus”. Në Danimarkë janë arrestuar më herët dy shqiptarë dhe një shtetas i huaj, ku njëri prej shqiptarëve rezulton të jetë kunati i vëllezërve Licaj.
Sipas vendimit nr. 28 të datës 14 maj 2026 të GJKKO, Marsel Licaj do të hetohet nën masën “arrest në burg” për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. SPAK bën me dije se hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të heroinës, ndërsa dyshohet se aktiviteti kriminal ka gjeneruar fitime të konsiderueshme nga shpërndarja e drogës në tregun skandinav.