Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar heroine mes Shqipërisë dhe Danimarkës.
Sipas SPAK, hetimet kanë të bëjnë me një aktivitet kriminal të zhvilluar gjatë viteve 2023–2024, ku grupi dyshohet se merrej me prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa hetuesit kanë identifikuar disa persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurie për dy shtetas shqiptarë të përfshirë në çështje përkatësisht dy vëllezër fierak. Sipas SPAK, Marsel Licaj është arrestuar, ndërsa ndaj Ermal Licaj janë vendosur masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Autoritetet dyshojnë se aktiviteti kriminal është zhvilluar në disa episode dhe ka përfshirë trafikimin ndërkufitar të heroinës, e cila më pas përpunohej dhe përzihej për t’u shitur në tregun danez.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.