Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të mbrojtjes dhe përfaqësimit të punonjësve në Europë, sipas raportit “European Working Conditions Survey 2024” të Eurofound. Vetëm rreth 25% e punonjësve në vend deklarojnë se kanë sindikatë, këshill punonjësish apo forma të tjera përfaqësimi në vendin e punës, duke e renditur Shqipërinë mes vendeve me mbulimin më të dobët në Europë. Edhe përfaqësimi për sigurinë dhe shëndetin në punë mbetet i ulët, me më pak se një në katër punonjës që deklarojnë ekzistencën e një delegati apo komiteti të posaçëm në kompaninë ku punojnë, ndërsa mesatarja në Bashkimin Europian arrin në rreth 60%.
Raporti thekson se mungesa e këtyre mekanizmave i lë punonjësit të pambrojtur për të ngritur shqetësime mbi kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin në ambientet ku ushtrojnë aktivitetin. Në të njëjtën kohë, dokumenti evidenton zgjerimin e formave fleksibël dhe të paqarta të punësimit në Europë, si puna sezonale, “on call” apo marrëdhëniet e pasigurta të punës. Sipas të dhënave të Eurofound, 3% e punonjësve europianë deklarojnë se punojnë pa kontratë pune, ndërsa në disa vende deri në 15% e tyre thonë se orët e punës nuk specifikohen në kontratë.
Sipas raportit, përfaqësimi për shëndetin dhe sigurinë në punë është më i lartë në ndërmarrjet e mëdha dhe sektorët industrialë apo administratën publike, ndërsa më i ulët në bujqësi, tregti dhe hoteleri. Dokumenti rikujton se Direktiva 89/391/EEC e Bashkimit Europian detyron punëdhënësit të marrin masa për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve, përfshirë caktimin e përfaqësuesve të posaçëm. Kjo direktivë pritet të zbatohet edhe nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit europian.