Thellohet ‘lufta brenda llojit’ në PS, pas Spiropalit edhe Braçe shënjestron Ballukun: Në Fier nuk shoh asnjë angazhim, zero!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.05.2026, 23:59

Partia Socialiste po jep gjithnjë e më shumë shenja përçarjeje të brendshme, teksa kritikat ndaj Belinda Ballukut nuk po vijnë më vetëm nga opozita, por edhe nga vetë figurat e rëndësishme të mazhorancës.

Pas deklaratave të Elisa Spiropalit pak ditë më parë, këtë herë ka qenë deputeti socialist Erion Braçe ai që ka lëshuar kritika të drejtpërdrejta ndaj drejtueses politike të PS-së në Fier, duke theksuar mungesën e angazhimit të saj për problemet e bujqësisë në qark.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Braçe u pyet për situatën në Fier dhe rolin e Ballukut si drejtuese politike e qarkut. Përgjigjja e tij ishte e prerë.

“Do doja që prezenca e saj në Fier të ndihmonte në çështje në lidhje me bujqësinë. Deri tani nuk e shoh. Nuk shoh as ministrin e Financave që është deputet në Lushnjë të angazhuar me atë problematik. Fare zero”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist ngriti shqetësime edhe për situatën e sigurisë ushqimore, duke paralajmëruar se sipas tij po krijohet një klimë që mund të godasë padrejtësisht fermerët dhe gjithë sektorin bujqësor.

Braçe theksoi se shumica e fermerëve shqiptarë prodhojnë “mirë dhe ndershëm”, ndërsa shtoi se problematikat e sigurisë ushqimore nuk duhet të përdoren për të favorizuar monopolizimin e tregut.

Deklaratat e tij po interpretohen si një tjetër sinjal i pakënaqësive brenda PS-së ndaj Ballukut, e cila vazhdon të konsiderohet një nga figurat më të fuqishme të qeverisë dhe mazhorancës socialiste.

Kur kritikat ndaj një prej emrave më të rëndësishëm të PS-së artikulohen publikisht nga vetë socialistët, duket se tensionet brenda partisë po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit