Fermerët e fshatit Kurjan në Roskovec po braktisin masivisht vreshtarinë, duke e zëvendësuar atë me kulturën e ullirit. Rënia është drastike, pasi nga 100 hektarë vreshta që numëroheshin dikur, sot kanë mbetur të mbjella vetëm 5 hektarë. Kjo shpërngulje nga tradita vjen si pasojë e kostove të larta, çmimit të ulët të rrushit dhe mungesës së mbështetjes.
Eshref Toro, një fermer që merret me vreshtari prej 32 vitesh, shpjegon se çmimi i ulët i rrushit, mungesa e tregut të sigurt, stoku i mbetur i verës e rakisë, si dhe subvencionet e pakta, e kanë detyruar atë dhe kolegët e tij të heqin dorë nga kjo kulturë.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe fermeri Qamil Kuka, i cili e ka braktisur plotësisht vreshtarinë dhe e ka mbjellë tokën me ullinj, duke pohuar se u detyrua të priste të gjitha hardhitë për shkak të kostos së lartë të prodhimit. Të njëjtin shqetësim ndan edhe Astrit Abedini, i cili nga një sipërfaqe e konsiderueshme vreshtash, sot ka arritur të ruajë vetëm 1 dynym.
Deri në vitet ‘90, vreshtat me rrush zinin 80% të territorit të Kurjanit, duke siguruar një prodhim vjetor prej rreth 200 tonësh. Sot, kjo traditë e njohur po shkon drejt shuarjes, ndërsa fermerët pohojnë se mungesa e subvencioneve po i çon ata drejt falimentimit.