Gjatë seancës në Londër, Azizi deklaroi se pas prishjes së marrëdhënieve me Talo Çelën, ndaj tij ishte organizuar një tentativë eliminimi në nëntor të vitit 2020. Ai i tha gjykatës britanike se nëse ekstradohet, rrezikon të përballet sërish me atentate, ndërsa shtoi se kthimi në Shqipëri do të kishte pasoja të rënda edhe për bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij, me të cilët ka kërkuar azil në Britaninë e Madhe.
Por deklaratat e tij nuk bindën gjykatën britanike. Madje, një nga momentet që ka ndikuar negativisht në çështje ishte pretendimi i vetë Azizit se kishte paguar 5 mijë euro për të “mbyllur” problemet me drejtësinë, deklaratë që u pa me dyshim nga gjykata.
Në vendimin e siguruar nga gazetari Muhamed Veliu, gjyqtarja Annabel Pilling shprehet se interesi publik dhe detyrimet ligjore të Mbretërisë së Bashkuar për ekstradimin prevalojnë mbi argumentet familjare të Azizit.
Sipas saj, fakti që ai ka tentuar të ndikojë procesin përmes korrupsionit rëndon edhe më shumë pozitat e tij. Gjyqtarja thekson se balanca anon qartë në favor të ekstradimit, duke rrëzuar pretendimet se jeta e tij dhe e familjes është në rrezik real.
Në vendim, gjyqtarja britanike shkon edhe më tej, duke deklaruar se Azizi ka ekzagjeruar nivelin e kërcënimit ndaj tij. Ajo nënvizon se familja e tij ka jetuar në Shqipëri pa probleme dhe më pas ka udhëtuar drejt Britanisë pa u përballur me kërcënime konkrete.
Gjykata vendosi që kundërshtimi i Azizit ndaj ekstradimit të rrëzohet dhe çështja t’i kalojë Sekretares së Shtetit për firmën finale. Megjithatë, ekstradimi nuk mund të kryhet menjëherë, pasi ende pritet përgjigjja e Home Office për kërkesën e azilit të bërë nga Irfan Azizi.
Ndërkohë, ai ka edhe 14 ditë afat për të apeluar vendimin në instancat më të larta britanike.