Drejtori i kompanisë “Onima”, Erkand Shabani, është ndaluar nga autoritetet për një periudhë 48-orëshe, nën dyshimet për veprën penale “Ngacmimi”.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, e cila konfirmoi se ndalimi është kryer me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe se hetimet ndaj rastit janë ende në vijim.
Sipas njoftimit zyrtar, një person i identifikuar me inicialet E.Sh. po mbahet i ndaluar, ndërsa dyshohet për përfshirje në veprën penale “Ngacmimi”, e parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Autoritetet theksojnë se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
“Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, u deklarua në përgjigjen zyrtare për mediat.
Ky zhvillim vjen pas një kallëzimi penal të dorëzuar më herët nga artisti shqiptar Gjesti, i cili ka ngritur pretendime ndaj kompanisë Onima dhe stafit të saj, duke kërkuar zgjidhje ligjore dhe kthimin e të drejtave financiare.
Rasti mbetet në fazë hetimore, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi hapat e ardhshëm të procedurës.