Problemet fizike të Marc-André ter Stegen mund t’i kushtojnë shtrenjtë jo vetëm sezonin, por edhe Botërorin. Portieri gjerman po rikuperohet nga një dëmtim i pësuar në ndeshjen e tij të dytë me fanellën e Girona FC, skuadër ku u transferua në formë huazimi nga FC Barcelona gjatë merkatos së dimrit.
Lëvizja kishte si synim t’i siguronte më shumë minuta në fushë, në mënyrë që të fitonte statusin e titullarit te Kombëtaren Gjermane për Botërorin që nis pas më pak se një muaji në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Por dëmtimi duket se ka ndryshuar totalisht planet.
Në Gjermani kanë nisur menjëherë diskutimet për atë që do të mbrojë portën e “panzerave” në turneun më të madh të futbollit. Oliver Baumann ka qenë zgjedhja më e përdorur nga trajneri Julian Nagelsmann në muajt e fundit, por situata mund të marrë kthesë të papritur.
Emri që po rikthehet fuqishëm në skenë është ai i Manuel Neuer. Legjenda 40-vjeçare ishte tërhequr nga kombëtarja dy vite më parë dhe kishte deklaruar disa herë se nuk planifikonte rikthim te “Die Mannschaft”.
Megjithatë, mediat gjermane raportojnë se Neuer mund të bëjë surprizën e madhe. Sipas Sky Sports Deutschland, ai është përfshirë në listën paraprake me 55 lojtarë që Nagelsmann i ka dorëzuar FIFA-s. Vendimi final ende nuk është marrë, por në Gjermani po shtohen bindjet se rikthimi i Neuer për Botërorin është një skenar gjithnjë e më realist.