Gjykata e kërkon këtu, Lefter Koka fluturon jashtë. Kjo është panorama që ka krijuar vendimi më i fundit i Apelit të GJKKO për Lefter Koka, i cili duhet të rikthehet në burg, ndërsa prej muajsh rezulton jashtë Shqipërisë.
Apeli la në fuqi dënimin me 2 vite burg për “shpërdorim detyre”, por ndryshoi pjesën që kishte shuar masën e sigurisë, duke rikthyer sërish “arrestin në burg”. Megjithatë, vendimi ende nuk është ekzekutuar, pasi ish-ministri nuk ndodhet në territorin shqiptar.
Sipas SPAK, Koka dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mjedisit favorizuan procedurat për koncesionin e inceneratorit të Tiranës, projekt me vlerë 128.2 milionë euro pa TVSH. Hetimet pretendojnë se kompania e Klodian Zoto është ndihmuar gjatë gjithë garës për t’u shpallur fituese.
I arrestuar fillimisht në vitin 2021 për inceneratorin e Elbasanit, Lefter Koka përfundoi i përfshirë edhe në dosjet e Fierit dhe Tiranës. Në fund të vitit 2025 ai la qelinë, ndërsa tani Apeli kërkon rikthimin e tij pas hekurave. Problemi është se Lefteri, të paktën për momentin, duket se ka zgjedhur të jetë shumë larg dyerve të burgut shqiptar.