RENEA shtetrrethim në Mirditë, kërkojnë Elson Reçin! Mori hakun e xhaxhait

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 15.05.2026, 08:44

Policia e Shtetit dhe forcat RENEA zhvilluan në orët e para të mëngjesit kontrolle të shumta në Mirditë, pas dyshimeve se në Shqipëri ishte futur Elson Reçi. Kontrollet u ushtruan në banesën e tij dhe ambiente të tjera, por pa rezultat, pasi rezultoi se në territor kishte hyrë vëllai i tij dhe jo vetë Reçi.

Elson Reçi është në kërkim nga SPAK prej 15 majit 2024, i akuzuar për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për atentatin ndaj Preng Gjinit. Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për “vrasje për gjakmarrje” të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje, kultivim narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai është nipi i Kastriot Reçit, biznesmenit të ekzekutuar me snajper në Rrëshen në janar 2020.

Saga e vrasjeve mes familjeve Reçi e Gjini

Saga e përgjakshme mes familjeve Reçi dhe Gjini dyshohet se nisi pas një pazari droge të prishur në Itali me vlerë rreth 1 milion euro mes Gaspër Reçit dhe Preng Gjinit. Viktima e parë ishte Saimir Jaku, drejtues i linjës së Tensionit të Lartë për Veriun në OSSHE, i cili u ekzekutua më 9 shtator 2016 nga dy persona të armatosur me kallashnikov. Nëntë muaj më vonë, më 28 prill 2017, u vra në Romë Gaspër Reçi, 43 vjeç, vëllai i Kastriot Reçit, i qëlluar me katër plumba në banesën e tij në Via Simeri Crichi, Tor Vergata, ndërsa autorët nuk u identifikuan. Më 6 shtator 2017 u ekzekutua në komunën Forest në Belgjikë Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut.

Seria e hakmarrjeve vijoi më 12 gusht 2019 me vrasjen e Armando “Tonin” Gjinit pranë Katedrales së Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve të tij. Pas kësaj ngjarjeje, më 7 janar 2020, u ekzekutua me snajper në Rrëshen biznesmeni Kastriot Reçi. Konflikti kulmoi me atentatin me eksploziv ndaj Preng Gjinit në Tiranë, në një urë mbi lumin Lana dhe në një zonë me trafik të dendur, ku ai mbeti i plagosur rëndë. Sipas SPAK, atentati dyshohet se u porosit nga Elson Reçi, nipi i Kastriot Reçit, i cili akuzohet se mori drejtimin e një grupi kriminal për të vijuar hakmarrjen mes dy familjeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit