Humbi kontaktet me familjarët, gjendet e vdekur me hematoma e moshuara në Korçë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.05.2026, 11:53

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, ku një grua e moshuar është gjetur e pajetë brenda banesës së saj. Viktima, e identifikuar paraprakisht si 78-vjeçarja me inicialet M. H., jetonte e vetme dhe prej rreth tre ditësh nuk kishte pasur kontakte me familjarët apo fqinjët. Kanë qenë banorët e zonës ata që, të shqetësuar nga mungesa e saj, kanë njoftuar policinë.

Pas mbërritjes në vendngjarje, forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të hapur derën e apartamentit, ndërsa brenda banesës është konstatuar trupi i pajetë i të moshuarës. Nga këqyrja paraprake e ekspertëve është vërejtur një hematomë në pjesën e kokës, çka ka ngritur dyshimet se 78-vjeçarja mund të jetë rrëzuar aksidentalisht në banesë dhe për pasojë të ketë humbur jetën. Në trup nuk janë konstatuar shenja të tjera dhune.

Policia e Korçës dhe grupi hetimor vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut të spitalit rajonal, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Deri më tani, pista kryesore mbetet ajo e një aksidenti fatal brenda banesës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit