Një rast i dyshimtë investimesh me miliona euro në Shqipëri është evidentuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, ku në qendër të hetimeve ndodhen dy shtetase shqiptare me shtetësi të huaj, të përfshira në blerje vilash luksoze dhe veprash arti me fonde që dyshohet se kanë origjinë të paqartë.
Sipas raportit të AIF për vitin 2025, një 18-vjeçare ka blerë në muajin shkurt një vilë në bregdet me vlerë rreth 1.5 milionë euro. Financimi i pronës, sipas të dhënave të siguruara nga autoritetet, është bërë nga motra e saj 40-vjeçare, rezidente në një juridiksion me lehtësira fiskale.
Fondet për blerjen e vilës rezultojnë të jenë transferuar nga një llogari bankare në një shtet të Afrikës Jugore, i konsideruar me nivel të lartë risku për korrupsion dhe ekonomi informale. Ndërkohë, gjatë të njëjtit vit, edhe vetë motra ka investuar në një tjetër vilë bregdetare me vlerë 1.7 milionë euro, përmes transfertave nga një tjetër parajsë fiskale.
Hetimet tregojnë se ajo ka shpenzuar gjithashtu rreth 700 mijë euro për blerje veprash arti në Shqipëri vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025.
Sipas AIF, 40-vjeçarja rezulton pronare e vetme e një kompanie që operon në fushën e lojërave online në Seychelles, ndërsa një tjetër kompani e lidhur me të, e regjistruar në një shtet tjetër me taksa të favorshme, rezulton të jetë çregjistruar që në vitin 2023.
Autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë për shkak të lëvizjeve të dyshimta të parave dhe përdorimit të disa juridiksioneve të ndryshme për transfertat financiare. Nga verifikimet ka rezultuar gjithashtu se bashkëshorti i 40-vjeçares dyshohet për përfshirje në aktivitete të lidhura me krimin e organizuar.
Raporti përmend edhe një kompani hoteliere të regjistruar në vitin 2019 nga shtetasja në fjalë dhe persona të tjerë nga vendi i saj i origjinës, por që kishte raportuar fitime të ulëta. Në fillim të vitit 2025 ajo ishte larguar nga kjo shoqëri.
Agjencia e Inteligjencës Financiare ngre dyshime se investimet në prona luksoze dhe art janë përdorur për të fshehur origjinën e fondeve, ndërsa përdorimi i kompanive offshore dhe transfertat nga vende të ndryshme kanë shtuar dyshimet për pastrim parash. Për këtë arsye, çështja i është referuar organeve ligjzbatuese për hetime të mëtejshme.