Një 30-vjeçar shqiptar ka përfunduar në burg në Britaninë e Madhe pasi u kap nga policia me kokainë dhe kanabis, ndërsa drejtonte një automjet të dyshuar për shpërndarje droge në zonën e Cambridge.
Sipas autoriteteve britanike, Emiljan Duriçi u ndalua më 14 shkurt në rrugën “Newmarket Road”, pasi policia kishte informacione se një mjet tip BMW i bardhë po përdorej për aktivitet kriminal dhe shpërndarje narkotikësh.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan se shqiptari nuk kishte as patentë dhe as siguracion për automjetin. Në telefonin e tij u gjetën mesazhe të lidhura me shitjen e drogës, ndërsa në xhepa iu sekuestruan 274 paund cash.
Pas arrestimit, policia gjeti edhe katër doza kokaine të fshehura në të brendshmet e tij, me vlerë rreth 160 paund. Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij në zonën “Ditton Fields”, ku autoritetet sekuestruan rreth 4 mijë paund cash, 11 qese me kanabis dhe 19 doza kokaine me vlerë mbi 2 mijë paund në treg.
Gjykata e Peterborough e dënoi shqiptarin me 3 vite burg, pasi ai pranoi akuzat për posedim droge me qëllim shpërndarjen, posedim pasurie kriminale si dhe drejtim mjeti pa patentë dhe siguracion.
Përveç dënimit me burg, Duriçit iu ndalua drejtimi i automjeteve për 30 muaj.
Hetuesja e çështjes, Luisa McCready, deklaroi se trafikimi i drogës sjell dëme serioze për komunitetin dhe paralajmëroi se policia do të vazhdojë goditjet ndaj personave të përfshirë në aktivitete kriminale.