3 mijë euro për çdo kat pa leje? Denoncimi i fortë për shefin e Komisariatit nr. 4

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13.05.2026, 20:09

Një aksion për konfiskimin e një objekti banimi në rrugën "Llukë Kaçaj" në Tiranë, ka zbuluar jo vetëm një shkelje flagrante të ligjit për urbanistikën, por edhe një skemë të dyshuar korrupsioni brenda strukturave të Policisë së Shtetit.

Objekti në fjalë, i cili kishte leje për 9 kate, rezultoi se kishte "mbirë" me tre kate shtesë (kati i 10-të, 11-të dhe një pjesë e katit të 12-të), duke tejkaluar pragun ligjor prej 10% të parashikuar në Aktin Normativ nr. 8. Për pasojë, godina është konfiskuar për interes publik, pasi ishte vënë në përdorim pa certifikatën përkatëse.

Pyetja që djeg: Si u ndërtuan 3 kate në mes të Tiranës?

Ndërtimi i tre kateve shtesë nuk është një proces që ndodh brenda natës; ai kërkon muaj punë, lëvizje mjetesh të rënda dhe dhjetëra punëtorë. Megjithatë, pavarësisht se zona është nën juridiksionin e Komisariatit nr. 4, të drejtuar nga Feliks Hoda, ndërhyrja duket se ka qenë tepër e vonuar. Ndonëse policia deklaron se ka referuar materiale në Prokurori, fakti që godina përfundoi dhe u banua ngre dyshime të forta për efektivitetin e kontrollit të territorit.

Denoncimi tronditës në media: Akuzat ndaj Feliks Hodës

Ndërsa shteti po ekzekuton konfiskimin, një denoncim i rëndë ka mbërritur në media nga një person që prezantohet si inspektor zone. Sipas këtij dëshmitari, dështimi për të ndaluar këto ndërtime nuk është neglizhencë, por një skemë e mirëfilltë ryshfeti.

Në mesazhin e bërë publik, denoncuesi akuzon drejtpërdrejt shefin e Komisariatit, Feliks Hoda, duke pretenduar se ai ndërhyn personalisht për të lejuar paligjshmërinë.

"Ky shef komisariati nuk është asgjë më shumë se një gjobaxhi që merr 3 mijë euro për çdo ndërtim pa leje. Ai na telefonon personalisht dhe na kërkon që të 'bëjmë një sy qorr' ndaj këtyre objekteve," thuhet në dëshminë e inspektorit, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim për shkak të pasigurisë.

Policia përballë provës së vërtetë

Këto akuza të rënda, nëse vërtetohen, e kthejnë kupolën e Komisariatit nr. 4 në një mburojë për ndërtimet e paligjshme në kryeqytet. Denoncuesi shprehet se mosbesimi ndaj institucioneve është i lartë dhe se media mbetet e vetmja rrugë për të zbardhur të vërtetën.

Tashmë i takon Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të nisin verifikimet për këto pretendime tronditëse që hedhin hije të rënda mbi uniformat e shtetit dhe luftën e trumbetuar kundër betonizimit pa leje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit