Rasti i ngacmimit seksual ndaj një 21-vjeçareje, teksa merrte shërbim mjekësor në spitalin e Korçës, është një ndër 70 rastet e raportuara në Shqipëri vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti.
Shifrat mbeten shqetësuese edhe në krahasim me një vit më parë. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 158 krime me natyrë seksuale në të gjithë vendin. Prej tyre, 89 raste lidhen me ngacmime seksuale, 20 me vepra të turpshme, ndërsa 16 raste kanë të bëjnë me marrëdhënie seksuale me të mitur, të cilat konsiderohen ndër veprat më të rënda.
Megjithatë, autoritetet besojnë se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen për shkak të frikës, turpit apo mungesës së besimit për të denoncuar.
Sipas të dhënave, Tirana renditet e para për numrin e denoncimeve të krimeve seksuale, e ndikuar edhe nga numri më i lartë i popullsisë në kryeqytet.