Tenderi 3.7 mln euro i Policisë, kriteret i plotëson vetëm “Land Rover-i” i familjes Sako

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.05.2026, 19:52

Ndërsa kryeministri Rama vijon të promovojë Shqipërinë si një model të ri të transparencës që lë pas edhe standardet e vendeve nordike, realiteti i procedurave të prokurimit publik duket se ka mbetur në epokën e "qepjes me porosi".

Rasti më i fundit vjen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) i drejtuar nga Arlinda Pogaj, i cili ka hapur një tender me vlerë 359 milionë lekë ose rreth 3.7 milionë euro, për pajisjen e Policisë së Shtetit me automjete të reja SUV.

Në pamje të parë, kriteret teknike për 20 mjetet e tipit 4×4 duken si parametra standardë. Por, sapo futesh në detaje, kupton se "rrethi" i konkurrencës është aq i ngushtë, saqë ngjan më shumë me një rrugicë pa krye.

Sipas dokumenteve të tenderit, automjeti duhet të ketë:

  • Distancë aksiale: Min. 3000 mm
  • Gjatësi totale: Max. 5050 mm
  • Lartësi nga toka: Min. 220 mm
  • Gjerësi (pa pasqyra): Min. 1950 mm

Në një provë të thjeshtë me modelet më prestigjioze të tregut global (BMW X7, Mercedes GLS apo Ineos Grenadier), rezulton se asnjë prej tyre nuk i plotëson të gjitha kriteret njëkohësisht. Ose janë shumë të gjatë për kufirin maksimal, ose kanë distancë aksiale më të shkurtër se sa kërkohet.

I vetmi model që kalon "në vrimë të gjilpërës" është Land Rover Defender 110. Ky automjet jo vetëm që përmbush kërkesat teknike deri në milimetrin e fundit, por rastis të jetë një markë që në Shqipëri përfaqësohet ekskluzivisht nga bizneset e lidhura me familjarët e kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako.

Pyetja që lind natyrshëm është: Pse Policisë së Shtetit i duhet një mjet që ka detyrimisht distancën mes akseve mbi 3 metra, por nuk duhet të jetë më i gjatë se 5.05 metra? Ky kombinim specifikash "djeg" automatikisht çdo konkurrent tjetër në treg, duke e kthyer tenderin nga një garë ofertash, në një njoftim shitjeje të paracaktuar.

Nëse ky është standardi i ri i "ndershmërisë" që kalon Gjermaninë dhe Suedinë, atëherë prokuroria nuk ka nevojë për shumë inteligjencë, as njerëzore dhe as artificiale, për të kuptuar se ku po shkojnë paratë e taksapaguesve.

Ky nuk është thjesht një tender; është një provë flagrante se si specifikimet teknike përdoren si mjet për të paracaktuar fituesin, duke lënë pas vetëm pluhurin e një gare fiktive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit