“Sistemi raketor më i fuqishëm në botë”, Putin teston raketën bërthamore “Satan-2”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.05.2026, 18:13

Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia ka testuar me sukses raketën bërthamore RS-28 Sarmat, e njohur ndryshe si “Satan-2” apo “raketa e fundit të botës”, në një tjetër demonstrim force ndaj Perëndimit.

Sipas Kremlinit, raketa balistike ndërkontinentale, e aftë të mbajë koka bërthamore, konsiderohet nga Putini si “sistemi raketor më i fuqishëm në botë”. Ai deklaroi se Sarmat do të vendoset zyrtarisht në gatishmëri luftarake deri në fund të këtij viti.

Putin pretendoi se fuqia shkatërruese e raketës është më shumë se katër herë më e madhe se sistemet më të avancuara perëndimore.

Sipas tij, raketa mund të fluturojë jo vetëm në trajektore balistike, por edhe suborbitale, duke arritur distanca mbi 35 mijë kilometra dhe duke depërtuar çdo sistem ekzistues të mbrojtjes raketore.

Testi u konfirmua nga komandanti i Forcave Strategjike Raketore ruse, Sergei Karakayev, ndërsa media shtetërore ruse e paraqiti si një sukses të madh ushtarak.

Megjithatë, ekspertët kanë ngritur dyshime mbi gatishmërinë reale të programit, pasi kjo besohet të jetë vetëm prova e dytë e suksesshme e Sarmat. Zhvillimi i raketës ka pësuar vonesa të shumta dhe disa dështime spektakolare në vitet e fundit.

Në shtator 2024, një tjetër raketë Sarmat shpërtheu në platformën e nisjes në kozmodromin Plesetsk, duke krijuar një krater gjigant.

Ndërsa në nëntor 2025, një raketë tjetër u rrëzua pak sekonda pas ngritjes në rajonin e Orenburgut, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.

Së fundmi, autoritetet ruse arrestuan edhe drejtorin e fabrikës që prodhon raketat Sarmat, Alexander Gavrilov, nën akuza për përvetësim fondesh, ndërsa më herët Putini kishte shkarkuar dy drejtues të agjencisë hapësinore ruse për raportime të rreme mbi gatishmërinë e sistemit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit