Pamjet e fundit të publikuara nga zona pranë autostradës Tiranë–Durrës kanë zbuluar hapësirën ku pritet të ndërtohet “Eagle Stadium”, një stadium i përkohshëm gjigant që do të përdoret për koncertin e shumëpërfolur të reperit amerikan Kanye West në Shqipëri.
Sipas informacioneve paraprake, stadiumi do të ketë një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh dhe po projektohet enkas për eventin muzikor. Në terrenin ku do të ngrihet struktura pritet që shumë shpejt të nisin punimet për montimin e impiantit të përkohshëm, i cili është pagëzuar me emrin “Eagle Stadium” ose “Stadiumi Shqiponja”.
Koncerti është planifikuar të mbahet më 11 korrik dhe konsiderohet një nga ndalesat më të rëndësishme të turit botëror të vitit 2026 të Kanye West. Turneu do të nisë fillimisht në Shtetet e Bashkuara, për të vijuar më pas në disa vende të Azisë dhe Europës, ku në listën e destinacioneve është edhe Shqipëria.