Biznesmeni Bashkim Ulaj i cili 'ha' dhe në pjatën e PS-së dhe pjatën e PD-së, është paraqitur për herë të parë sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), jo për hetime mbi aferat më të mëdha infrastrukturore ku është përfshirë, por për një kallëzim për shpifje ndaj dy deputetëve të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri. Deputetët kishin mbështetur publikisht banorët e Rrjoll, të cilët prej muajsh protestojnë për të drejtat e pronës dhe mënyrën e zhvillimit të projektit. Përplasjet mes banorëve dhe forcave të rendit shpesh kanë përfunduar me arrestime.
Emri i Bashkim Ulajt lidhet me projekte infrastrukturore të mëdha, si aksi Thumanë-Kashar dhe Unaza e Madhe e Tiranës, të cilat janë shoqëruar me denoncime dhe hetime nga SPAK për procedurat dhe kostot e fryra. Në aksin Thumanë-Kashar, kompania “Gener 2” me koncesion 35-vjeçar pritet të fitojë mbi 1.3 miliardë euro, ndërkohë që rruga ka probleme si çarje dhe shembje, dhe qytetarët paguajnë 2.5 euro për automjet. SPAK ka konstatuar gjithashtu paracaktim të fituesve dhe fryrje kostosh në projektin e Unazës së Madhe, duke shkaktuar dëme në qindra milionë euro për shtetin.
Megjithatë, paraqitja e Ulajt në GJKKO nuk lidhet me këto hetime, por me konflikt deklaratash politike. Ai padit deputetët që dolën në mbështetje të banorëve, duke theksuar paradoksin në Shqipëri, ndërsa miliona euro të qytetarëve janë përfshirë në projekte që po hetohen për favorizime dhe shkelje procedurash, drejtësia shpesh përqendrohet te ata që ngrejnë zërin, dhe jo te kontratat problematike.