Rrahën klientin se i zbuloi ‘depon e mallit’? Çfarë e pengon policinë të futet në ambientet e Rozafës së Lucës?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.05.2026, 11:14

Gjergj Luca është një emër i njohur në Shqipëri, i përfolur prej vitesh për lidhje të dyshuara me aktivitete të paligjshme dhe për përfitime të mëdha ekonomike. Nga biznesi i lojërave të fatit, ai arriti të zgjerojë aktivitetin e tij në sektorin e restoranteve dhe përpunimit të peshkut, duke marrë në përdorim prona shtetërore në disa qytete të vendit pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste.

Prej kohësh kanë qarkulluar akuza dhe dyshime publike se pas fasadës së biznesit të peshkut mund të fshihet një aktivitet tjetër kriminal, ndërsa qytetarë të shumtë kanë kërkuar hetime nga SPAK dhe Policia e Shtetit mbi origjinën e pasurisë, rrjetin e bizneseve dhe mënyrën e zgjerimit të tyre me shpejtësi në të gjithë vendin.

Së fundmi, një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ka rikthyer vëmendjen te Rozafa Fish City në Elbasan. Një qytetare pretendon se në ambientet e biznesit persona të lidhur me stafin kanë ushtruar dhunë fizike ndaj familjarëve të saj, ndërsa më pas është tentuar të pengohet edhe policia.

Sipas dëshmisë së saj, konflikti nisi pasi familjarët kishin përfunduar drekën dhe po shëtisnin në ambientet e jashtme të kompleksit. Edhe pse dikush u kishte kërkuar të mos kalonin në një zonë pas lokalit, qytetarja pretendon se nuk kishte asnjë tabelë ndaluese apo paralajmërim për klientët.

Ajo rrëfen se një person iu afrua me agresivitet dhe goditi fizikisht një prej familjarëve të saj, ndërsa edhe motra e saj mbeti e lënduar teksa ndërhyri për të ndarë sherrin. Në vendngjarje ndodheshin edhe fëmijë të mitur, të cilët sipas saj mbetën të traumatizuar nga skena.

Denoncuesja pretendon gjithashtu se autori u largua menjëherë sapo u njoftua policia dhe se stafi refuzoi të jepte identitetin e tij. Madje, sipas saj, persona të lidhur me menaxhimin e biznesit kanë tentuar të largojnë qytetarët dhe të pengojnë hyrjen e efektivëve në ambientet e kompleksit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi atë që mund të fshihej brenda.

Sipas qytetares, vetëm pasi mbërriti një patrullë tjetër policie, familjarët u drejtuan në Komisariatin e Elbasanit ku bënë kallëzim penal. Ajo thotë se dëmtimet janë fotografuar dhe çështja tashmë ndodhet në Prokurori.

Ngjarja ka ngritur reagime dhe dyshime të forta mbi mënyrën si funksionon siguria në një nga bizneset më të njohura të Elbasanit, ndërsa qytetarët kërkojnë hetim të plotë për zbardhjen e incidentit dhe verifikimin e pretendimeve të ngritura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit