“Na goditën me grushte e shkelma te Rozafa Fish City, roja përzuri policinë nga oborri”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.05.2026, 23:31

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një episod të rëndë dhune, që sipas saj ka ndodhur dje në ambientet e Rozafa Fish City, ku kishte shkuar për drekë së bashku me familjarë dhe të afërm të saj.

Sipas denoncueses, pasi kishin përfunduar drekën, grupi kishte dalë për një xhiro dhe për të bërë disa foto në ambientet e jashtme të biznesit.

Ajo pretendon se fillimisht dikush i kishte paralajmëruar të mos kalonin në një zonë pas lokalit, por duke qenë se nuk kishte asnjë tabelë apo shenjë ndaluese për klientët, ata kishin vijuar rrugën.

“Nuk kaluan disa minuta dhe një burrë erdhi me vrap drejt nesh. Kapi shokun tim nga krahu, e goditi me shkelm dhe më pas me grusht në ballë. Motra ime u fut për t’i ndarë dhe mori goditje poshtë syrit”, pretendon qytetarja.

Sipas saj, menjëherë pas incidentit kanë telefonuar policinë, ndërsa personi që dyshohet se ushtroi dhunën është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.

Denoncuesja shton se në vendngjarje ndodhej edhe një grua me dy fëmijë të mitur, të cilët, sipas saj, mbetën të frikësuar nga skena e dhunës.

Më tej ajo pretendon se, ndërsa prisnin policinë, kanë kërkuar të takonin menaxherin e lokalit për të marrë informacion mbi personin që i kishte goditur, por askush nuk u kishte dhënë identitetin e tij.

Sipas dëshmisë së saj, një person që iu prezantua si menaxher i dha në telefon një person tjetër me emrin Emiljano, i cili, sipas denoncueses, i ka kërcënuar dhe u ka kërkuar të largohen menjëherë nga ambientet e biznesit.

Qytetarja tregon se e ka regjistruar bisedën telefonike dhe se më pas policia ka mbërritur në vendngjarje. Ajo thotë se efektivët kërkuan t’i shoqëronin në komisariat, por ata kanë kërkuar që fillimisht të shoqëroheshin edhe personat që pretendon se ushtruan dhunë dhe kërcënime.

“Roja i restorantit përzuri policinë nga oborri bashkë me ne. Më pas erdhën efektivë të tjerë dhe ne shkuam vetë në Komisariatin e Elbasanit ku bëmë kallëzim”, shprehet ajo.

Sipas denoncueses, motrës dhe shokut të saj iu janë fotografuar dëmtimet në fytyrë, ndërsa çështja tashmë ndodhet në Prokurori.

Ajo pretendon gjithashtu se policia disponon pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit, ku sipas saj shihet qartë momenti i dhunës.

JOQ Albania thekson se këto janë pretendime të qytetares dhe se i takon organeve kompetente të verifikojnë rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe përgjegjësitë eventuale të personave të përfshirë. Pala e përmendur në denoncim ka të drejtën e reagimit dhe versionit të saj mbi ngjarjen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit