Saga pa fund e Hekurudhës: Hapet tenderi i ri 15.7 milionë euro për 4 km

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.05.2026, 21:09

Edhe pse kanë kaluar gati pesë vite nga nisja e punimeve për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës me degëzim në Rinas, përfundimi i plotë i këtij projekti duket ende larg horizontit. Kur pritej që gjithçka të ishte drejt finales, Hekurudha Shqiptare ka hapur këtë të hënë një tender të ri me vlerë 15.7 milionë euro për ndërtimin e një zgjatimi prej 4 kilometrash.

Ky projekt i ri synon të lidhë Terminalin e Transportit Publik (PTT) me stacionin e ardhshëm në fund të Bulevardit të Ri të Tiranës, i cili do të shërbejë si stacioni "Qendra e Qytetit". Sipas dokumenteve të tenderit, ky zgjatim është i domosdoshëm për të garantuar një ndërlidhje efikase mes transportit urban dhe atij hekurudhor, duke e bërë linjën më atraktive për qytetarët dhe turistët.

Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 15 qershor për të paraqitur ofertat e tyre. Megjithatë, ajo që bie në sy është afati i ekzekutimit: fituesi do të ketë në dispozicion 2 vite për të mbyllur punimet, çka do të thotë se treni në qendër të Tiranës mund të mos shihet para vitit 2028.

Hekurudha Shqiptare argumenton se ky investim do të ndikojë pozitivisht në mjedis dhe ekonomi, duke adresuar sfidat e urbanizimit të shpejtë në kryeqytet:

  • Reduktimi i trafikut: Synohet lehtësimi i qarkullimit të rënduar rrugor.
  • Mjedisi: Trenat do të jenë elektrikë, duke ulur ndotjen akustike dhe ajrore.
  • Koha e udhëtimit: Shpejtësia e parashikuar do të jetë midis 70-100 km/orë.

Ndonëse zyrtarisht raportohet se janë mbyllur 97% e punimeve për linjën kryesore dhe pritet që trenat të "ndizen" në fillim të vitit të ardhshëm, ky zgjatim i ri e lë projektin total pa një datë përfundimtare të prerë.

Nisur nga përvoja e punëve publike në Shqipëri, ky zgjatim prej 4 kilometrash dhe kostoja shtesë prej miliona eurosh tregojnë se "ëndrra hekurudhore" që nisi në vitin 2021 po shndërrohet në një kantier të hapur pa afat, duke lënë qytetarët në pritje të një shërbimi modern që po vjen me ritme tejet të ngadalta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit