Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar se numri i rasteve të infektimit me Hantavirus mes pasagjerëve të anijes “Hondius” ka shkuar në shtatë. Rasti më i fundit i konfirmuar është një shtetase franceze, e cila është kthyer së fundmi në vendin e saj.
Ndërkohë, jashtë këtij bilanci mbetet edhe një rast i dyshuar “pozitiv i dobët” te një shtetas amerikan, i cili u evakuua nga anija pranë portit të Granadillës në Tenerife.
Situata është ndjekur nga afër edhe nga autoritetet ndërkombëtare, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, reagoi në rrjetin social X, duke shprehur trishtim për vdekjen e një efektivi të Guardia Civil gjatë operacionit të evakuimit në Tenerife. Ai humbi jetën pas një ataku kardiak teksa ishte në detyrë.
Ghebreyesus shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët e viktimës, duke vlerësuar njëkohësisht punën e autoriteteve spanjolle dhe banorëve të Tenerife-s gjatë operacionit të vështirë të evakuimit.