Në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, pranë zonës së ish-Fabrikës së Çimentos, situata e infrastrukturës vazhdon të mbetet shqetësuese për banorët, të cilët thonë se janë detyruar të ndërhyjnë vetë për të përmirësuar rrugën e amortizuar prej vitesh.
Sipas denoncimit të banorëve, rreth 220 familje që jetojnë në këtë zonë kanë kontribuar me një fond prej rreth 23 milionë lekësh të vjetër, duke mbledhur para edhe nga pensionistë me aq sa kanë mundur, vetëm që rruga të bëhej e kalueshme. Ata shprehen se gjendja ishte bërë pothuajse e pamundur për qarkullimin e automjeteve, duke sjellë vështirësi të përditshme për komunitetin.
Banorët theksojnë se pavarësisht këtyre përpjekjeve, mungon mbështetja nga Bashkia e Vlorës. Ata akuzojnë Bashkinë dhe kryebashkiaken Bruna Mersini se kanë deklaruar praninë dhe investimet në zonë, ndërkohë që sipas tyre realiteti është krejt tjetër, pasi lagjja nuk ka parë ndërhyrje serioze prej rreth 35 vitesh.
Një tjetër problem i ngritur nga banorët është mungesa e ndërhyrjes për pastrimin e kanaleve anësore të rrugës. Ata thonë se gjatë reshjeve, uji grumbullohet në rrugë në vend që të largohet në kanalizime, duke përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e infrastrukturës.
Banorët kërkojnë që bashkia të reagojë urgjentisht, të paktën me mjete bazë si një skrep për pastrimin e kanaleve, duke theksuar se nuk mund të mbajnë më vetë një barrë që, sipas tyre, i takon pushtetit vendor.
Situata në këtë lagje vijon të mbetet problematike, ndërsa komuniteti kërkon vëmendje dhe ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse.