Në majin e vitit 2020 denonconim mënyrën sesi kompania “SORI-AL” SHPK, e lidhur me Nikolin Jakën dhe në pronësi të Alma Tafanit, përfitonte pagesa të majme nga institucionet publike brenda vetëm pak ditësh. Vetëm në datat 7 dhe 8 maj 2020, nga Thesari i Shtetit u ekzekutuan rreth 55 milionë lekë të vjetra në favor të kompanisë për shërbime gatimi, pastrimi dhe gjelbërimi në Spitalin Psikiatrik të Vlorës dhe Sanatoriumin në Tiranë. Në atë kohë ngrinim pyetjen: çfarë e bënte kaq të privilegjuar këtë kompani në raport me fondet publike?
Gjashtë vite më pas, emri i “SORI-AL” rikthehet sërish në qendër të debatit publik, por kësaj here jo për tendera milionash, por për një skandal që tronditi Akademinë e Sigurisë. Vetëm pak ditë më parë, studentë të akademisë përfunduan me probleme shëndetësore pas konsumimit të ushqimit të furnizuar nga kjo kompani. Ngjarja ngriti shqetësime serioze mbi standardet e sigurisë ushqimore dhe cilësinë e shërbimit që prej vitesh financohet me para publike.
Dhe pyetja që lind natyrshëm sot është kjo: si ka mundësi që kompani të përfolura ndër vite për lidhje të forta me pushtetin vazhdojnë të marrin kontrata publike pa u cenuar, edhe kur emri i tyre përfshihet në skandale të rënda? Sepse në Shqipëri duket se tenderat nuk i fiton ai që ofron cilësi, por ai që di të mbajë lidhjet e duhura.