Personi në foto është Nikolla Nunka, mjeku kirurg 72-vjeçar i arrestuar pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare në spitalin e Korçës. Ngjarja është denoncuar nga e reja, e cila ishte paraqitur në urgjencë për shkak të dhimbjeve të forta të barkut dhe të vjellave, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore ishte vendosur që t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për apandesit.
Sipas kallëzimit të bërë në polici, 21-vjeçarja ka deklaruar se gjatë procedurave mjekësore, kirurgu Nikolla Nunka e ka prekur në pjesë intime, duke pretenduar se po kryente kontroll mjekësor. Menjëherë pas denoncimit, efektivët e Policisë së Korçës kanë marrë dëshminë e vajzës dhe kanë nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se e reja vijon të jetë e shtruar në spitalin rajonal të Korçës, ndërsa 72-vjeçari është shoqëruar dhe më pas arrestuar nga policia. Hetimet po vijojnë nën drejtimin e organit të akuzës për të verifikuar të gjitha rrethanat dhe pretendimet e ngritura në kallëzim.