I prenë veshin e i thyen këmbën ish-kryetarit të PD-së Lezhë, autorët ende në arrati

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.05.2026, 10:06

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e 9 majit 2026 në autostradën “Mamurras–Laç”, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, ku ish-kryetari i Partisë Demokratike për njësinë administrative Dajç në Zadrimë, Sokol Toma, është dhunuar brutalisht nga disa persona ende të paidentifikuar. Sipas informacioneve paraprake, 53-vjeçari është sulmuar rreth orës 22:00 me sende të forta, duke marrë dëmtime të shumta në trup. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se autorët dyshohet të kenë qenë të maskuar.

Pas njoftimit për ngjarjen, në vendin e incidentit kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë së Lezhës dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rastit. Sipas policisë, janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një territor të gjerë përgjatë aksit rrugor “Mamurras–Laç”, ndërsa hetuesit po kryejnë verifikime intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në sulm.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Sokol Tomës raportohet e stabilizuar pas marrjes së ndihmës mjekësore. Sipas raportimeve paraprake, ai ka pësuar fraktura në këmbë dhe dëmtime të tjera serioze fizike. Hetimet po drejtohen nga Prokuroria kompetente, e cila po shqyrton të gjitha pistat e mundshme lidhur me motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik në Lezhë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit