Ish-Kampi i Pionierëve në Dajt, një nga pronat më të njohura shtetërore të periudhës komuniste, është kthyer sot në një nga rastet më të debatueshme të tjetërsimit të pasurive publike në Shqipëri.
Kompleksi prej rreth 8 hektarësh, i vendosur në një nga zonat më të bukura dhe më të shtrenjta pranë Tiranës, kontrollohet tashmë 100 % nga familja Malo, ndërsa në zonë po avancon projekti për një resort luksoz me hotel dhe 12 vila private.
Në qendër të gjithë historisë dalin emrat e Gëzim Kalasë, Enklajd Malo, Mirana Malo dhe kompanisë “Dajtel” sh.p.k, përmes së cilës është konsoliduar pronësia mbi kompleksin.
Nga pronë shtetërore tek transaksionet e dyshimta
Pas viteve ’90, ish-Kampi i Pionierëve iu dha në administrim Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH), i drejtuar prej vitesh nga Gëzim Kalaja. Sindikatat morën në përdorim qindra prona shtetërore në të gjithë vendin, shumë prej të cilave më pas u shitën ose u tjetërsuan.
Në rastin e Kampit të Pionierëve, prona fillimisht iu dha me qira një shtetasi të huaj dhe më pas kaloi në duar private shqiptare. Ndërkohë, BSPSH ruante një pjesë të aksioneve të kompanisë “Dajtel”.
Dokumentet tregojnë se në vitin 2019, Gëzim Kalaja firmosi shitjen e 2 % të aksioneve të pronës tek Enklajd Malo për vetëm 10 mijë euro. Një shumë që konsiderohet qesharake për një pronë prej 8 hektarësh në zemër të Dajtit.
Por marrëveshjet vazhduan.
Në vitin 2025 u realizua një tjetër transaksion mes BSPSH-së dhe familjes Malo, ku u shitën edhe 8 % të aksioneve për rreth 42 mijë euro. Edhe kjo shumë konsiderohet minimale krahasuar me vlerën reale të pronës, e cila llogaritet në miliona euro për shkak të pozicionit strategjik dhe potencialit turistik.
Me këtë marrëveshje, familja Malo siguroi kontrollin e plotë të kompleksit.
Vendimi i Gëzim Kalasë dhe roli i BSPSH-së
Sipas dokumenteve, për të shmangur përgjegjësinë personale mbi shitjen, Gëzim Kalaja e kaloi vendimin edhe në Këshillin Kombëtar të BSPSH-së, duke marrë miratimin formal për transferimin e aksioneve tek Mirana Malo.
Në argumentimin zyrtar thuhej se godina ndodhej në gjendje të amortizuar dhe kërkonte investime të mëdha, por kritikët e konsiderojnë këtë një justifikim absurd përballë faktit se bëhet fjalë për një nga pronat më të vlefshme turistike pranë Tiranës.
Kalaja akuzohet prej vitesh për mënyrën sesi janë administruar pronat e Sindikatave, ndërsa rasti i Kampit të Pionierëve shihet si një tjetër shembull i shitjes së aseteve publike me çmime simbolike.
Projekti milionësh i familjes Malo në Dajt
Pasi mori 100 % të aksioneve të kompanisë “Dajtel”, familja Malo nisi procedurat për zhvillimin e projektit të ri turistik në zonë. Në mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) gjatë vitit 2026 u diskutua rishikimi i lejes së ndërtimit për projektin:
“Hotel, rezidencë dhe ambiente shërbimesh, ish-Kampi i Pionierëve Dajt”, me subjekt zhvillues kompaninë “Dajti Ekspres” sh.a.
Dokumentet tregojnë se projekti përfshin rikonstruksionin e godinës ekzistuese, ndërtimin e një hoteli malor me 4 ose 5 yje, ambiente rekreative dhe sportive, si dhe 12 vila luksoze në stil skandinav.
Zona e zhvillimit shtrihet në rreth 80 mijë metra katrorë dhe lidhet direkt me zonën e Teleferikut “Dajti Ekspres”, i cili kontrollohet po nga familja Malo.
Mirela Kumbaro dhe lejet në zonën e mbrojtur
Në dokumentet e projektit del edhe emri i ish-ministres së Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila ka firmosur dokumente që lidhen me masterplanin dhe lejen e zhvillimit të zonës.
Kritikët e projektit e akuzojnë Kumbaron se ka favorizuar ndërhyrjet në zona të mbrojtura, ndërsa rasti i Dajtit shihet si një tjetër shembull i betonizimit të hapësirave natyrore për interesa private.
Sipas masterplanit, vilat do të ndërtohen në pikat më panoramike të terrenit, me orientim të veçantë për pamje dhe privatësi maksimale.
Një pronë publike që u kthye në biznes privat
Nga një kamp shtetëror për fëmijët, ish-Kampi i Pionierëve po transformohet sot në një resort ekskluziv për turizëm elitar.
Ndërsa familja Malo avancon projektin multimilionësh në Dajt, shumë pyetje mbeten pa përgjigje!
Si mund të shiteshin aksione të një prone që vlen miliona euro për vetëm 10 mijë dhe 42 mijë euro? Pse institucionet nuk kanë hetuar mënyrën e tjetërsimit të pronës? Dhe si përfundoi një nga asetet më të njohura publike të Tiranës në duar private përmes marrëveshjeve që sot konsiderohen thellësisht të dyshimta?