Dua Lipa padit kompaninë Samsung për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.05.2026, 22:53

Dua Lipa ka ngritur një padi ndaj Samsung, duke e akuzuar kompaninë koreano-jugore për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj në reklamimin e televizorëve.

Sipas mediave ndërkombëtare, avokatët e këngëtares kanë dorëzuar një padi me vlerë 15 milionë dollarë, ku pretendohet se Samsung ka përdorur një fotografi të artistes në paketimet prej kartoni të televizorëve që prej vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për një imazh të Dua Lipës, i cili sipas padisë është përdorur në mënyrë të dukshme në një fushatë marketingu për produktet elektronike të kompanisë, pa miratimin e saj dhe pa asnjë kompensim financiar.

Pasi është vënë në dijeni për përdorimin e fotos, këngëtarja ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të imazhit të saj. Por sipas përfaqësuesve ligjorë të artistes, kompania ka reaguar me “indiferencë dhe mungesë ndjeshmërie”, duke refuzuar kërkesën.

“Fytyra e Lipës është përdorur për një fushatë marketingu masiv për një produkt konsumator, pa dijeninë e saj, pa kompensim dhe pa asnjë mundësi kontrolli apo ndërhyrjeje,” thuhet në dokumentet e padisë. “Lipa nuk e ka autorizuar dhe nuk do ta kishte autorizuar këtë përdorim.”

Sipas padisë, Dua Lipa zotëron të drejtat e autorit mbi fotografinë në fjalë, e cila është realizuar në prapaskenë gjatë Austin City Limits Music Festival në vitin 2024.

Rasti pritet të marrë vëmendje të madhe në industrinë e muzikës dhe marketingut, pasi lidhet me përdorimin e imazhit të artistëve të njohur nga kompani gjigante pa autorizim paraprak.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit