Atentat brenda një qendre tregtare, ekzekutohet shefi i policisë kriminale

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.05.2026, 11:46

Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm Kroacinë, ku Robert Grilec, drejtues i Policisë Kriminale, mbeti i vrarë pas një atentati me armë zjarri në një kafene të ndodhur brenda një qendre tregtare në Krapinë, raportojnë mediat vendase.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 08:00, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet për të sqaruar motivet dhe rrethanat e plota të krimit.

Grilec, 52 vjeç, ndodhej jashtë shërbimit në momentin e sulmit. Ai dyshohet se u ekzekutua nga fqinji i tij, i cili më pas tentoi t’i japë fund jetës duke qëlluar veten.

Punonjës të lokalit që panë skenën e krimit thanë se autori hyri në kafene pa folur me askënd dhe hapi zjarr tri herë në drejtim të oficerit të policisë, ndërsa në ambient ndodheshin rreth 15 klientë. Pas të shtënave, ai doli jashtë dhe tentoi vetëvrasjen.

Një kamariere, e cila po i merrte porosinë viktimës në ato momente, deklaroi se kishte vënë re më herët autorin duke lëvizur pranë automjetit jashtë lokalit dhe duke vrojtuar brendësinë e kafenesë.

Policia e Krapinës-Zagorjes konfirmoi ngjarjen dhe bëri të ditur se autori, pasi pësoi plagë të rënda nga vetëqëllimi, u transportua me helikopter drejt Spitalit Klinik të Dubravës.

Sipas raportimeve, si viktima ashtu edhe autori jetonin pranë njëri-tjetrit në Krapinë, ndërsa dëshmitarët thanë se para sulmit nuk pati asnjë debat apo përplasje mes tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit