Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Rimini, pasi u kap në flagrancë me mbi 1 kilogram kokainë, 35 gramë hashash dhe rreth 500 mijë euro cash. Sipas mediave italiane, i riu ishte prej kohësh nën vëzhgim nga hetuesit, të cilët dyshonin se ai përdorte një Fiat Doblò të bardhë për shpërndarjen e drogës në zona të ndryshme të Riminit. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pranë zonës “Rimini Sud”, ku policia kishte ngritur një postbllok për të ndaluar automjetin.
Sapo oficerët i bënë shenjë të ndalonte, shqiptari fillimisht ngadalësoi, por më pas përshpejtoi duke goditur një efektiv policie, si edhe automjetin e forcave të rendit dhe barrierat mbrojtëse. Tre patrulla të Skuadrës Fluturuese nisën menjëherë ndjekjen e tij nëpër rrugët e qytetit, ndërsa 30-vjeçari kryente manovra të rrezikshme për përdoruesit e rrugës. Arratisja përfundoi në zonën “Via Flaminia Conca”, ku ai humbi kontrollin e furgonit dhe u përplas me forcë në një mur anësor. Edhe pas aksidentit, shqiptari tentoi të largohej në këmbë, por u neutralizua dhe u arrestua nga policia.
Gjatë kontrollit në apartamentin ku jetonte me bashkëshorten, gjithashtu shtetase shqiptare, hetuesit zbuluan mbi 1 kg kokainë, 35 gramë hashash dhe materiale për paketimin e lëndëve narkotike. Në banesë dhe në automjet u sekuestruan afro 500 mijë euro, ndërsa brenda Fiat Doblò u gjet edhe një ndarje sekrete me kyç mekanik, e përdorur zakonisht për transport droge. Autoritetet italiane sekuestruan gjithashtu një Audi A6 dhe një motoçikletë Honda Africa Twin në pronësi të shqiptarit. 30-vjeçari u dërgua në burgun lokal, ndërsa bashkëshortja e tij po hetohet në gjendje të lirë për posedim droge.