Një qytetar nga Klosi, Sefer Dani, ka ngritur shqetësimin për një problem që sipas tij po i vështirëson jetën e përditshme dhe po e lë të bllokuar pa mundësi kalimi në banesë dhe tokat e tij.
Në mesazhin e dërguar për JOQ Albania, ai shprehet se rruga, e cila sipas tij është hapur më herët me ndërhyrjen e Bashkisë Klos, sot është bllokuar dhe nuk mund të përdoret më. Dani pretendon se pengesa po i krijohet nga bashkëfshatari i tij, Zeqir Alla.
“Përshëndetje, jam Sefer Dani. Kërkoj një ndihmë nga ana juaj pasi nuk po gjej një rrugëzgjidhje nga pushteti lokal. Me një rrugë që vetë kryetarja e Bashkisë Klos e ka hapur mirë, por sot nuk kam nga të kaloj, jam i bllokuar nga bashkëfshatari im, z. Zeqir Alla. Kërkoj nga ana juaj një ndihmë”, shprehet qytetari.
Banori thotë se pavarësisht kërkesave të bëra, deri më tani nuk ka marrë zgjidhje nga institucionet vendore dhe kërkon ndërhyrje për rikthimin e aksesit në rrugë.
Rasti ngre edhe një herë shqetësimin për konfliktet mbi rrugët dhe pronat në zonat rurale, ku qytetarët shpesh përballen me mungesë reagimi nga autoritetet lokale.