Dhunë masive në derbin Partizani-Tirana U18, fusha kthehet në arenë grushtesh

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.05.2026, 09:00

Skena të turpshme kanë shoqëruar derbin e të rinjve mes Partizani U18 dhe Tirana U18, duke rikthyer edhe një herë dhunën në futbollin shqiptar. Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Arena e Demave” përfundoi me fitoren minimale të bardhebluve, falë një goli të shënuar në shtesën e pjesës së parë.

Triumfi i Tiranës në shtëpinë e rivalëve të qytetit u errësua plotësisht nga ajo që ndodhi pas përfundimit të takimit. Menjëherë pas fërshëllimës finale, një prej lojtarëve të Tiranës improvizoi një flamur me fanellën e tij dhe tentoi ta vendoste në qendër të fushës, duke përsëritur një veprim simbolik të parë më herët edhe në derbit e Superiores.

Ky gjest ka sjellë reagimin e menjëhershëm të futbollistëve të Partizanit, ndërsa situata degradoi shumë shpejt në përplasje fizike masive mes lojtarëve dhe personave të pranishëm në stadium. Fusha u kthye në një arenë dhune, me tensione që zgjatën për disa minuta.

As ndërhyrja e forcave të rendit dhe efektivëve të “Shqiponjave” nuk arriti të qetësonte menjëherë situatën. Në fushë u futën edhe persona të tjerë, duke shtuar kaosin dhe aktet e dhunës në një ndeshje të moshave, që duhej të ishte shembull sportiviteti dhe fair-play.

Pamjet e incidentit kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa pritet që Komisioni i Disiplinës të marrë masa të forta për episodin e rëndë. Ngjarja konsiderohet alarmante për futbollin shqiptar, sidomos pasi protagonistë ishin lojtarë të ekipeve të moshave, ku edukimi sportiv duhet të jetë prioritet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit