Inteligjenca Artificiale po zë gjithnjë e më shumë vend në jetën e të rinjve europianë, jo vetëm si mjet teknologjik, por edhe si “person i besuar” për problemet personale dhe emocionale.
Një studim i realizuar nga Ipsos BVA, me porosi të autoritetit francez për mbrojtjen e të dhënave CNIL, zbulon se rreth 1 në 2 të rinj në Europë përdorin chatbot-et e Inteligjencës Artificiale për të folur mbi çështje intime, emocionale apo të shëndetit mendor.
Sipas anketës, ku morën pjesë 3 800 të rinj të moshës 11 deri në 25 vjeç, plot 51% e tyre thanë se e kanë më të lehtë të diskutojnë problemet e shëndetit mendor me një platformë dixhitale sesa me një profesionist të shëndetit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një distancim nga mbështetja tradicionale njerëzore. Vetëm 49% e të anketuarve thanë se janë konsultuar me këshilltarë apo persona të besuar, ndërsa vetëm 37% kanë kërkuar ndihmën e psikologëve.
Sipas raportit, chatbot-et e Inteligjencës Artificiale po shihen gjithnjë e më shumë si “këshilltarë jete”, kryesisht për shkak të disponueshmërisë së tyre 24 orë në ditë dhe faktit që të rinjtë ndihen më pak të gjykuar gjatë komunikimit.
Megjithatë, ekspertët kanë ngritur shqetësime serioze për ndikimin psikologjik që mund të kenë këto platforma tek të rinjtë. Sipas Reuters dhe mediave ndërkombëtare, specialistët paralajmërojnë se Inteligjenca Artificiale nuk është në gjendje të kuptojë realisht emocionet njerëzore dhe mund të mos ofrojë mbështetje të sigurt në situata delikate emocionale apo psikologjike.
Studimi ka hapur debat të fortë mbi mënyrën se si teknologjia po ndryshon raportet njerëzore dhe mënyrën se si brezi i ri po kërkon mbështetje emocionale në epokën dixhitale.