Një qytetar nga Durrësi ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania gjendjen alarmante të rrugës kryesore që lidh qytetin me zonën e Currilave, një nga zonat më të frekuentuara dhe turistike të bregdetit.
Nga pamjet e dërguara, segmenti rrugor duket i degraduar pothuajse nga fillimi në fund, me gropa të shumta përgjatë korsisë, duke krijuar vështirësi serioze për drejtuesit e automjeteve dhe trafik të ngadaltë në zonë. Në video shihen automjete që detyrohen të manovrojnë mes gropave për të shmangur dëmtimet, ndërsa rruga ka fluks të lartë qarkullimi edhe gjatë mbrëmjes.
Qytetari shprehet se situata po u shkatërron makinat çdo ditë:
“Përshëndetje JOQ, në fillim sezoni rruga kryesore Currila-Durrës komplet me gropa nga fillimi në fund. Na është bërë makina për amortizatorë e gomina. Mirë ne, po ka aq shumë turistë dhe fluks njerëzish sa po na e flliqin Durrësin.”
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kritikojnë Bashkinë e Durrësit dhe kryebashkiaken Emiriana Sako, duke thënë se një nga akset më të rëndësishme turistike të qytetit është lënë në mëshirë të fatit pikërisht në prag të sezonit veror.
Sipas tyre, është e papranueshme që rruga që çon drejt një prej zonave më të frekuentuara të bregdetit të jetë në këtë gjendje, ndërsa turistët dhe qytetarët përballen çdo ditë me gropa, dëmtime automjetesh dhe rrezik në qarkullim.