Kryeministri Edi Rama dhe njerëzit pranë tij vijojnë të jenë në qendër të kritikave për raportet me personazhe publikë dhe artistë, të cilët sipas denoncimeve përfitojnë privilegje, leje ndërtimi apo favore të ndryshme nga pushteti.
Emri më i fundit që i shtohet listës së personazheve të televizionit që futen në biznesin e kullave është Donald Veshaj. Humoristi dhe ish-banori i “Big Brother”, i njohur më shumë për spektakël sesa për eksperiencë në ndërtim, themeloi në mars 2024 kompaninë “DGC” shpk së bashku me Glenis Çobo, me objekt aktiviteti në fushën e ndërtimit dhe investimeve. Vetëm pak muaj më vonë, në dhjetor 2024, kompania “Anchor Investment”, në pronësi të Albi Shytit, bleu 50% të aksioneve të shoqërisë për vlerën simbolike prej 5 mijë eurosh. Më pas, ortakët aplikuan për ndërtimin e një kulle 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë në qendër të Vlorës.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Bold News, projekti ishte pjesë e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit më 29 prill 2026, organ që drejtohet nga vetë Edi Rama. Ende nuk dihet nëse leja është miratuar përfundimisht, pasi vendimet pritet të publikohen nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit në javët në vijim. Megjithatë, fakti që një figurë televizive pa histori në sektorin e ndërtimit aplikon për një kullë gjigante në bregdet, shton dyshimet dhe ironinë publike mbi mënyrën se si “VIP-at e ekranit” po shndërrohen me shpejtësi në investitorë strategjikë të betonit shqiptar.