Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarit, Mihalis Chrysochoidis, ka bërë të ditur se po përgatitet një kuadër i ri rregullash që parashikon ndalimin e përdorimit të monopatinave elektrike nga personat nën moshën 18 vjeç.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me monopatinat me qira, për të cilat do të bëhet i detyrueshëm sigurimi. Sipas Chrysochoidis, kjo masë synon të mbrojë qytetarët në rast aksidentesh apo dëmesh të shkaktuara nga këto mjete.
“Nëse sot të godet një skuter, kush do të të dëmshpërblejë? Ku do të kërkosh drejtësi? Për këtë arsye, sigurimi duhet të jetë i detyrueshëm edhe për monopatinat me qira”, u shpreh ai.
Ministri ngriti shqetësimin edhe për mënyrën se si monopatinat lihen të parkuara në trotuare, duke theksuar se kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Ai kërkoi nga bashkitë të organizojnë më mirë hapësirat e parkimit dhe, nëse duhet, të kufizojnë numrin e lejeve, për të garantuar lëvizjen e sigurt të këmbësorëve.
Sipas planit të ri, ndalimi për të miturit do të vlejë në të gjitha rrugët publike, pas rritjes së rasteve ku të rinjtë përdorin monopatina pa masa mbrojtëse dhe pa njohuri të mjaftueshme mbi rregullat e qarkullimit.
Autoritetet greke vlerësojnë se përdorimi i tyre, sidomos në qytetet e mëdha, ka dalë jashtë kontrollit. Për këtë arsye, drafti i ri parashikon edhe sigurim të detyrueshëm të përgjegjësisë civile për përdoruesit adultë, me qëllim mbulimin e dëmeve nga aksidentet apo përplasjet me këmbësorë dhe automjete.
Ligji ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit dhe pritet të dalë shumë shpejt në konsultim publik. Pas kësaj procedure, qeveria synon miratimin e menjëhershëm të tij.
Paketa e masave do të përfshijë gjithashtu gjoba më të ashpra për shkelësit dhe për kompanitë që ofrojnë monopatina jashtë standardeve teknike të sigurisë. Kontrollet do të fokusohen te mjetet që tejkalojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë ose që janë modifikuar në mënyrë të paligjshme, si edhe te kompanitë e importit dhe shitjes që tregtojnë modele pa certifikimet përkatëse.