Në luftë me vdekjen, Pranvera ka nevojë për ndihmën e shqiptarëve që të jetojë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.05.2026, 00:38

LINKU I GOFUNDME

Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për Pranvera Mollajn, një vajzë 30 vjeçare, e cila prej muajsh po përballet me një betejë të ashpër mes jetës dhe vdekjes, pasi vuan nga leucemia akute (Acute Myeloid Leukemia – AML).

Apeli është bërë nga mikja e saj e ngushtë, Geralda, e cila përmes një videoje ka kërkuar ndihmën e shqiptarëve për t’i dhënë Pranverës mundësinë për të jetuar.

Sipas saj, Pranvera është diagnostikuar që në tetor të vitit 2025 dhe prej atëherë ka kaluar muaj të tërë në kimioterapi intensive. Por pavarësisht forcës dhe rezistencës së saj, mjekët kanë konfirmuar se trupi i saj nuk po e përballon më trajtimin dhe se e vetmja shpresë për mbijetesë është një transplant urgjent i palcës së kockës.

Aktualisht, Pranvera ndodhet e shtruar në Arabinë Saudite, në gjendje shumë të rënduar shëndetësore. Sipas familjarëve dhe miqve të saj, ajo nuk mund të transportohet në një shtet tjetër për shkak të rrezikut ekstrem që paraqet gjendja e saj, pasi niveli i trombociteve është kritik dhe çdo komplikacion mund të jetë fatal.

Kostoja e transplantit, trajtimit spitalor dhe kujdesit mjekësor arrin në rreth 450 mijë dollarë, një shumë e papërballueshme për familjen e saj. Sigurimi shëndetësor, sipas të afërmve, nuk ka pranuar të mbulojë më shpenzimet.

“Ky nuk është thjesht një apel për ndihmë, por një apel për të shpëtuar një jetë. Pranvera është në duart e të gjithëve ne. Shqiptarët kur bëhen bashkë kanë shpëtuar shumë jetë dhe shpresojmë ta shpëtojmë edhe Pranverën”, shprehet mikja e saj.

Familjarët bëjnë thirrje që kushdo që ka mundësi të kontribuojë, por edhe ata që nuk munden financiarisht, të paktën ta shpërndajnë apelin, me shpresën që ai të arrijë te njerëzit që mund të bëjnë diferencën.

“Pranvera është vetëm 30-vjeçe dhe ka ende shumë jetë përpara. Ajo meriton një shans për të vazhduar të jetojë”, shprehen familjarët në apelin në GoFundMe.

JOQ Albania i uron forcë Pranverës dhe familjes së saj në këtë betejë të vështirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit