Janë publikuar pamjet nga zjarri i fuqishëm që përfshiu mbrëmjen e sotme një beach bar në zonën e Radhimës në Vlorë, ku biznesi është shkatërruar pothuajse tërësisht nga flakët.
Siç shihet edhe në videot e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, zjarri ka përpirë në pak minuta të gjithë strukturën prej druri të lokalit veror, duke mos lënë pothuajse asgjë nga objekti.
Flakët u përhapën me shpejtësi edhe në kodrën pranë zonës, duke krijuar rrezik për strukturat turistike aty afër.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë menjëherë në vendngjarje dhe, pas një pune intensive, arritën të neutralizonin flakët dhe të rikthenin situatën nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Fatmirësisht nuk raportohen persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi beach bari është shkrumbuar totalisht.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e incidentit.