Mbrëmjen e 7 majit, një konflikt i rëndë në fshatin Gjashtë të Sarandës i mori jetën Rexhep Ismailit, pronarit të një karburanti dhe lokali në zonë. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një tentative për rrëmbim.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 66-vjeçari nuk ishte pjesë e përplasjes mes grupeve, por kishte ndërhyrë për të mbrojtur një të ri që ndodhej në lokalin e tij, në momentin kur rreth 10 persona hynë me sende të forta në ambientet e biznesit.
Sipas hetuesve, agresorët dyshohet se synonin të merrnin peng një person që ndodhej në lokal, ndërsa konflikti besohet të ketë lidhje me çështje pronësie. Identiteti i personit që mendohet se ishte objektiv i rrëmbimit nuk është bërë ende i ditur.
Në përpjekje për të shmangur agravimin e situatës, Rexhep Ismaili iu është drejtuar autorëve me fjalët: “Djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu”, por më pas debati ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga informacionet paraprake rezulton se Lulzim Tabaku dyshohet të ketë nxjerrë i pari armën, duke qëlluar ndaj 66-vjeçarit, i cili mbante edhe postin e kryetarit të Shoqatës “Çamëria” në Sarandë. Pas të shtënave fillestare, edhe një person tjetër pranë banakut ka hapur zjarr.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe një tjetër person, i cili nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas ngjarjes, autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me të plagosurin dhe aktualisht janë në kërkim nga policia.
Në vendngjarje është gjetur gjithashtu një automjet që dyshohet se u përket autorëve.
Policia e Sarandës ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të biznesit dhe zonës përreth, me synim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ndërkohë, kontrolle po kryhen në spitalet rajonale dhe klinikat private për identifikimin e të plagosurit. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të jenë larguar nga Saranda, duke përfituar nga fakti se fshati Gjashtë ndodhet pranë daljes së qytetit.