Skema e zhvatjes me kreditë: Kanakaris dhe Ponari morën miliona nga xhepat e shqiptarëve

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.05.2026, 22:05

Një raport tronditës i Autoritetit të Konkurrencës ka nxjerrë në dritë një strukturë të mirëfilltë abuzimi që operon në tregun bankar dhe atë të sigurimeve në Shqipëri. Në qendër të këtij hetimi janë Christian Canacaris Kanakaris, kreu i Raiffeisen Bank, dhe Avni Ponari, figura drejtuese e "Sigal Life", të cilët përmes një marrëveshjeje ekskluzive dyshohet se kanë krijuar një "monopol të fshehtë" mbi sigurimin e jetës për kreditë konsumatore.

Halli i qytetarëve, fitimi i dyshes Kanakaris-Ponari

Sipas gjetjeve zyrtare, Raiffeisen Bank, nën drejtimin e Kanakaris, ka aplikuar komisione ndërmjetësimi që arrijnë deri në 50% të vlerës së policës së sigurimit. Kjo do të thotë se gjysma e parave që shqiptarët paguajnë për t'u siguruar, nuk shkojnë për mbulim rreziku, por ndahen mes bankës dhe kompanisë së sigurimeve. Ky nivel komisioni është dyfishi i asaj që aplikohet mesatarisht në treg, duke ngritur akuza të rënda për shfrytëzim të pozicionit dominues mbi klientët që marrin kredi për hall.

Skema "Sigal": Një treg i mbyllur pa zgjedhje

Hetimi ka dokumentuar se klientët e Raiffeisen nuk kishin asnjë liri zgjedhjeje. Ata orientoheshin në mënyrë sistematike drejt "Sigal Life" të Ponarit, duke krijuar një strukturë të mbyllur ku paratë qarkullonin vetëm brenda këtij binomi. Banka luante rolin e "brokerit" (ndërmjetësit), duke përfituar shuma kolosale nga kjo marrëveshje ekskluzive, ndërsa barra financiare mbetej e gjitha te qytetari. Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky konfigurim ka asgjësuar konkurrencën dhe ka rritur kostot "e padukshme" për çdo kredimarrës.

Dështimi i ndëshkimit: Pse nuk u gjobitën?

Pavarësisht se raporti konfirmon "dyshime serioze" për dëm të drejtpërdrejtë ndaj konsumatorit, çudia qëndron te mungesa e gjobave. Autoriteti i Konkurrencës, në vend që të ndëshkonte financiarisht bankën dhe kompaninë e sigurimeve, ka zgjedhur vetëm masa korrigjuese administrative. Kanakaris dhe Ponari janë urdhëruar të ndryshojnë praktikat, të ofrojnë formularë të unifikuar dhe t’u japin klientëve të drejtën të zgjedhin çdo kompani tjetër sigurimi, por pa paguar asnjë qindarkë si penalitet për abuzimet e deritanishme.

Një skandal që kapërcen emrat

Ndonëse Raiffeisen dhe Sigal janë në qendër të stuhisë, hetimi ka evidentuar se modele të ngjashme janë ndjekur edhe nga institucione të tjera si Union Bank, duke treguar një problem sistemik. Megjithatë, pesha e bashkëpunimit Kanakaris-Ponari mbetet më e rënda në treg, duke lënë pas një shije të hidhur: ndërsa shqiptarët zhyten në kredi për të përballuar jetesën, "truri" i korporatave mendohet vetëm si t'i orientojë ata drejt skemave ku fitimi është i garantuar për ta dhe kostoja e pashmangshme për popullin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit