Një qytetar ka denoncuar në redaksinë tonë gjendjen e rrugës së re në lagjen Bahçallëk, në hyrje të Shkodër, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si po kryhen punimet në segmentin nga Harku i Bërdicës deri te ura e Bahçallëkut.
Sipas qytetarit, rruga prej më shumë se dy vitesh është në proces rikonstruksioni, ndërsa punimet kanë krijuar vështirësi dhe kaos për banorët e zonës. Ai thekson se, megjithëse është shtruar shtresa e fundit e asfaltit, një shtyllë elektrike ka mbetur në mes të rrugës, tashmë e rrethuar nga asfalti i ri.
Edhe pse kryebashkiaku Benet Beci mburret me këtë investim të Qeverisë Shqiptare që thuhet se do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe rrisë sigurinë për qytetarët dhe vizitorët, shkodranët nuk mendojnë kështu.
Pavarësisht investimit dhe avancimit të punimeve, pamjet me shtyllën elektrike në mes të asfaltit kanë sjellë reagime dhe kritika nga banorët, të cilët kërkojnë më shumë standard dhe siguri në realizimin e projektit.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje! Shifeni cfare behet ne lagjen Bahçallek ne hyrje te Shkodres
Po shtrojne rrugen qe ka me shume se dy vite qe kane nisur ta rregullojne dhe kane bere nje katrahure per 500 metra apo pak me shume (nga Harku i Berdices e deri te ura e Bahçallekut). Shtyllen ne mes te rruges dhe sot kane vendosur shtresën e fundit dhe shtylla eshte ne mes te asfaltit Tmerr ku jetojme
